Dikush tha: nuk mund të vriten fëmijët! Turma u përgjigj: e përse jo?
Dikushi e mbylli gojën. Interesante m’u duk!
Pa shih! Ekrani i paska vënë syzet e plazhit. Raporton: “Kanalet me ujra të zeza,
U ngjajnë zorrëve me malarie.” Nënë Tereza nuk ka si të ngrihet nga varri!
E përse Zoti nuk dërgon dikë tjetër të merret me to?
Tani, operacionet plastike, pas vizatimit me laps të zi, shihen nëpër palestra.
Aty djersitet, por dhjami është tejet i rëndë, tamam si fashat e përgjakura.
Fundi i fundit, estetika gjithmonë njerëzit i ka stërmunduar,
Ata nuk munden ta asgjësojnë shikimin… kjo s’do të shpjeguar!
A nuk fluturoi? Ai avioni i teknologjisë së fundit, ushtarakisht,
Mbi kokat e një fisi të vjetër indigjenësh brazilian, bota tha: ja origjina!
Bota harroi se origjina u përpjek me përbindëshin fluturues,
Gjumi përfundimisht iu tjetërsua!
Kurse, poetët e rinj, të plakur kaq shpejt, gjithmonë anojnë nga qytetërimi,
E përqafojnë, e mallkojnë, kurrë nuk thonë lamtumirë, as ata që vetvriten.
Unë prapë s’e kuptova kush quhet i qytetruar e kush i paqytetruar.
Thonë, një vajzë e vogël, ka kohë tashmë, i shfaqet çdo të gjalli në trotuar,
Me një rryp të verdhë në dorë, u bie disa deleve që s’lëvizin,
Ajo, nuk po e kupton se janë statuja, ajo nuk po e mbaron kurrë refrenin e saj,
Kjo po që është e bezdisshme, ndonëse s’ka lidhje me pyetjen time.
Po, më e bezdisshme se plakat binjake, të ngjitura në një trup, me flokë të kuqe,
Të lëshuara gjer në tokë, se kështu iu pëlqen më shumë turistëve.
Edhe fshatari i trashë nga Elbasani, u bë i famshëm se dhjetë kosheret e bletëve,
U zhvendosën mbi surratin e tij, pa e pickuar, as edhe një herë të vetme!
E habitshme, por jo dhe aq e habitshme…
Se tek ishujt e budistëve shkoi edhe Madona, doli shumë origjinale kënga e saj.
Unë kujtoja se kishte vajtur për të dëfryer, krejt gabim e kisha.
Gabim edhe kur u thashë studentëve Amerikanë: “Në djall vaftë Parisi i adhuruar!
Në djall kruasantet, Eifeli, moda e homo-trans-seksualëve, edhe Bonzhur-Bonsuar!”
Ata kujtuan se ishte humor Ballkanik, ndaj qeshën, pa u stërmunduar.
Si s’po kalon ora! Nga banja vjen gjithmonë era mut i thartuar,
Pse, vetëm nga banja? Por jemi mësuar.
Ja! Mbi bar, kanë ngulur nga një flamur të zi, për çdo amerikan të vdekur në Irak,
Sa bukur duket, të gjithë i nxorën aparatet, të gjithë fotografuan.
Por Iraku është kaq larg, kaq i pafat, si dikur të tjerë, ndaj le të jetë i duruar!
Edhe unë jam e duruar:
Nën derën e marrë me qera, një pusullë tjetër e shkalluar: “Lidhi macet! Janë tërbuar!”
S’kam mace, kjo është komshija e vetmuar, do të zihet, por jam e dërrmuar!
Sa kohë duhet për të kuptuar? E gjitha ishte drexë e shëruar,
Por e kruajtura s’paska të mbaruar, me kapakë breshkash është forcuar,
Më mirë sot të kisha munguar!

Foto: LMema